Pjesëtari i FSK-së do të hetohet për vrasje në tentativë, ndalohet për 48 orë

Pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fitim Krasniqi, është personi i dyshuar për therjen me thikë ndaj një 45-vjeçari sot rreth orës 17:30 në afërsi të Qendrës Tregtare në Kodrën e Diellit në Prishtinë.

E menjëherë pas kryerjes së veprës, Krasniqi ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas përfundimit të procedurave policore Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që Krasniqit t’i caktohet masa e ndalimit policor.

28-vjeçari do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.

Por si ndodhi ngjarja e sotme?

Një mosmarrëveshje në trafik mes dy personave sot rreth orës 17:30 në afërsi të Qendrës Tregtare në Kodrën e Diellit eskaloi në sulm fizik ndaj 45-vjeçarit, G.B. ai dyshohet se u ther disa herë me thikë nga i dyshuari, i cili fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u vetëdorëzuar më vonë në stacion të Policisë.

Krasniqi, i cili është i biri i nënkolonelit në Policinë e Kosovës, Haxhi Krasniqi, dyshohet se ka goditur së paku gjashtë herë me thikë viktimën të cili i ka shkaktuar lëndime serioze dhe më pas ka ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

45-vjeçari menjëherë është dërguar me urgjencë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kodrën e Diellit, ku i është ofruar ndihma e parë e më pas për shkak të natyrës së lëndimeve, i njëjti është transferuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Sinjali mëson nga burimet brenda QKUK-së se viktima ka pasur plagë të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga goditjet me mjet të mprehtë në shpinë, kraharorë dhe këmbë. Pas intervenimit të mjekëve, gjendja e tij është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vetura godet për vdekje të 79 vjeçaren nga Drenica