Vazhdon operacioni policor: Bastiset edhe shtëpia e biznesmenit Pulaj në Prizren

Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë është duke zhvilluar një operacion, për shkak të dyshimeve se disa zyrtarë dhe qytetarë janë përfshirë në veprat penale “Mashtrim në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”. Bastisjet tashmë po zhvillohen në Hotelin “Lakeside” në Vërmicë të Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali.

Pronari i këtij hoteli, biznesmeni Feim Pulaj, ishte cak i Policisë dhe Prokurorisë, nën dyshimin për shmangie nga tatimi dhe dokumentim të rrejshëm.

Përveç hotelit, Sinjali mëson se bastisje po kryhen edhe në shtëpinë e Pulajt, ku tashmë ndodhen disa njësi policore.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, dyshohet se dy biznesmenë dhe disa zyrtarë tatimorë janë hetuar pasi dyshohen se janë përfshirë në mashtrime.

Dëmi që konsiderohet që do t’i shkaktohej shtetit me këto veprime është vlerësuar të jetë 3 milionë euro.

Aksioni ka nisur mëngjesin e së martës dhe është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Jep dorëheqje nga QKUK kirurgu i njohur, i bënte presion drejtoresha