Vasfije Krasniqi tregon historinë e saj në OKB: Krimet nuk harrohen, nuk duhet të mbesin të pandëshkuara

Në Ditën Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, ka sjellë rrëfimin e saj tronditës para Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Duke folur në cilësinë e të Dërguarës së Posaçme të Zyrës së Presidentes për Dhunën Seksuale gjatë Luftës, Krasniqi ndau përvojën e saj personale dhe të mijëra të mbijetuarve të tjerë që përjetuan tmerrin nga forcat okupatore serbe.

“Duke përfaqësuar Zyrën e Presidentes si e Dërguar e Posaçme për Dhunën Seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, ndau rrëfimin e saj dhe të mijëra të mbijetuarve të tjerë, duke i kujtuar botës se këto krime nuk harrohen dhe nuk duhet të mbeten të pandëshkuara”, theksohet në postimin e Presidencës.

Në ngjarjen e organizuar nga Misionet e Përhershme të Shqipërisë, Ukrainës dhe Sudanit në OKB, Kosova dha një mesazh të qartë dhe të fuqishëm, duke kërkuar drejtësi për të mbijetuarit.

“Në këtë ngjarje të organizuar nga Misionet e Përhershme të Shqipërisë, Ukrainës dhe Sudanit në OKB, Kosova dha një mesazh të qartë dhe të fuqishëm: drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt nuk është zgjedhje – është detyrim moral dhe ndërkombëtar”, thuhet tutje në reagim.

Lexo edhe:  Osmani pritet nga mërgata në ShBA: Mbrëmje madhështore, ashtu siç është lidhja ndërmjet Kosovës dhe Amerikës