Varësia nga droga: Babai ia gjen djalit marihuanën në shtëpi, 18-vjeçari përfundon në Polici

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.

Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në Lipjan, pasi një 42-vjeçar gjeti një sasi të drogës në shtëpi, që i përkise djalit të tij.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i njëjti u detyrua ta denoncojë rastin në Polici, me ç’rast edhe u zbulua se i dyshuari 18-vjeçar është përdorues i narkotikëve.

Për shkak të posedimit të drogës, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Plas sherri në një restorant në Bukosh të Suharekës/ Sulmohet klienti