Varësia nga droga: 32-vjeçari në Gjilan kapet mat nga Policia, i gjejnë marihuanë e hashash

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në qytetin e Gjilanit, ku gjatë patrullimit në një pikë kontrolli, Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Gjatë kontrollimit të të dyshuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe një sasi hashash , qe janë sekuestruar si prova.

Për shkak të posedimit të drogës, i dyshuari 32-vjeçar është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Vushtrriasi dënohet me burg, u kap me 'viagra' në vlerë 72 mijë euro