“Vajzën do ta dhunoj e djalin do ta vras”/ Ky është personi që kërcënoi policin në veri
Pas rreth një muaji në arrati, Policia ka arritur ta arrestojë personin që dyshohet se kërcënoi një zyrtar policor në Mitrovicë të Veriut.
I njëjti ka qenë në kërkim policor, deri më dje kur ra në prangat e Policisë dhe tashmë ndodhet në ndalim.
Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije se personi që u arrestua është Marko Apostolovic, i cili po dyshohet se më 18 shtator e ka kanosur seriozisht një polic (emër i njohur për redaksinë) për motive akoma të panjohura.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari e ka kërcënuar policin, duke i thënë se “Do të kesh probleme me mua, se vajzën do ta dhunoj e djalin do ta vras.”
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, Policia e ka prangosur të dyshuarin.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Mitrovicë të Veriut.