Vajza që dyshohet se u dhunua në Pejë është 14-vjeçare, ky është personi i shpallur në kërkim nga Policia
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.
Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e mitura, ndërsa shpesh të dyshuar, janë persona të moshës madhore, të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i trishtë dyshohet të ketë ndodhur së fundmi në Pejë, ku një e vajzë mitur, shtetase e Shqipërisë dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një 36-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Gentian Gjepa, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga Policia.
E mitura, e moshës 14-vjeçare, e ka denoncuar rastin në Polici bashkë me nënën e saj, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar, në një shtëpi të pabanuar në Pejë.
Bazuar në dëshminë e saj, i dyshuari e ka detyruar që të kryejnë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Në kuadër të veprimeve hetimore, njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për inicimin e rastit si “Dhunim” dhe ndërmarrjen e veprimeve për të siguruar prezencën e të dyshuarit.