Vajza 15-vjeçare në Klinë e raporton burrin me të cilin kreu marrëdhënie seksuale, ndalohet për 48 orë i dyshuari
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpeshherë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Klinë, Prokuroria tashmë ka nisur hetimet.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se gjithçka u zbulua pasi viktima e rastit, një vajzë e moshës 15-vjeçare e denoncoi personin me të cilin kishte qëndruar në një motel, ku edhe kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Sinjali mëson se vajza e ka raportuar rastin në Polici, por që ka deklaruar se gjithçka mes saj dhe 31-vjeçarit ka ndodhur me dëshirën e saj, pasi ishin takuar.
Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka dhënë dëshminë e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.