Ushtroi dhunë kundër gruas, polici dënohet me 8 muaj burg

Të premtën Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtor Zyrtarin Policor V.I.

Ai u dënua për veprën penale Dhunë në familje, dhe veprën penale Lendim i lehtë trupor.

Gjykata e gjeti fajtor atë për këto veprime kriminale ku e dëmtuar ishte bashkëshortja e tij.

I akuzuari u dënua me 8 muaj burg efektiv dhe dënim me gjobë në vlerë prej 800 euro, ka bërë të ditur për Insajderin avokatja e viktimës, Leonora Dervishaj- Pacolli.

“Ne arritëm, të paraqesim çdo provë dhe dëshmi duke dëshmuar qartë dhunën fizike dhe psiqike që i është ushtruar në vazhdimësi ndaj të dëmtuarës”, ka thënë ajo për Insajderin.

Palës së dëmtuar të cilën e përfaqësoj, “sot i është kthyer dinjiteti dhe besimi në drejtësi edhe përkundër faktit se Prokuroria 3 herë e ka hudhur kallëzimin e saj penal”, ka thënë avokatja Leonora Dervishaj- Pacolli.

Ajo ka dhënë edhe një mesazh pasi u kumtua vendimi.

“Prandaj, mos e toleroni dhunën në asnjë nga format e saj, sepse Drejtësia do të triumfojë. Çdo grua duhet ta denoncojë dhunën fizike dhe psiqike dhe ta luftojmë se bashku”, ka thënë Leonora Dervishaj- Pacolli.

Lexo edhe:  Shqiptarët kthejnë azilin e pleqve në shtëpi të barit