Ushtarë gjermanë e amerikanë të KFOR-it kryen trajnim me helikopterë “Black Hawk” në Kosovë

KFOR-i ka njoftuar se ushtarë të këmbësorisë gjermane, të mbështetur nga njësitet e aviacionit amerikanë dhe të asgjësimit të municioneve shpërthyese, kryen një trajnim me helikopterë në jugun e Kosovës.

Helikopterët UH-60 Black Hawk (Skifter i Zi), zbarkuan trupat në mbështetje të një patrolle të pavarur.

“Trajnimi përsosi lëvizshmërinë e shpejtë ajrore, procedurat e zbarkimit dhe koordinimin mes këmbësorisë, aviacionit dhe ekipeve të EOD-së (Ekipi i Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese), duke rritur ndërveprimin dhe gatishmërinë operacionale midis kontingjenteve gjermane dhe amerikane” – thuhet mes tjerash në njoftimin e KFOR-it, më 19.10.2025.

Përmes këtyre aktiviteteve, KFOR-it ka thënë se vazhdon të ruaj kohezionin dhe efektivitetin e forcave të veta multinacionale, duke kontribuuar në mjedis të sigurtë për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Helikopterët “Black Hawk” synon që t’i blej edhe Kosova.

Në një komunikatë për media të datës 29.09.2025 nga Zyra e Kryeministrit, Kryeministri në detyrë Albin Kurti në Institutin Hudson në SHBA kishte thënë se diskutime për blerjet e tyre po vazhdojnë.

“Gjatë mandatit tonë e kemi katërfishuar buxhetin tonë të mbrojtjes, me pothuajse të gjithë buxhetin shtesë që i dedikohet sistemeve të reja. Midis këtyre blerjeve janë sistemet anti-tank Javelin, UAV-të, ASV-të, si dhe  rifurnizimi i plotë i ushtrisë sonë me armë të vogla të reja, dhe diskutimet për blerjen e helikopterëve Black Hawk janë duke vazhduar. Gjithashtu, kemi nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA-n, duke u bërë vendi i 33-të në nivel global me këtë status të besuar” – kishte thënë ai.

Lexo edhe:  Dy tentim vetëvrasje në Pejë