Ukraina sulmon Moskën, ushtria në Kremlin, Trump godet Putin: Të bëjë paqe, jo të testojë raketa bërthamore
Vladimir Putin aktivizon ushtrinë për të mbrojtur Kremlinin. Është ky imazhi që po bën xhiron e rrjetit, ndërsa Ukraina ka nisur të sulmojë Rusinë në zemër të saj. Ministria e Mbrojtjes njofton se ka rrëzuar 193 dronë gjatë orëve të fundit, me 40 prej tyre në rajonin e Moskës.
Breshëria e sulmit ukrainas ka detyruar autoritetet që të mbyllin përkohësisht dy aeroporte pranë kryeqytetit, ndërsa ka pasur shpërthime në disa zona. Nuk ka raportime për viktima apo të lënduar, por vetëm për një zjarr që shpërtheu në një depozitë nafte. Presidenti rus, Vladimir Putin, “duhet t’i japë fund luftës në Ukrainë, në vend që të testojë raketa”. Kështu është shprehur lideri amerikan, Donald Trump, në bordin e Air Force One. Ai e quajti të papërshtatshëm, kolaudimin e raketës së re ruse me fuqi bërthamore.
“Ne kemi një nëndetëse bërthamore, më të madhen në botë, pikërisht pranë brigjeve të tyre, kështu që dua të them se nuk ka pse të shkojë 8000 milje, dhe ata nuk po luajnë lojëra me ne. Ne nuk po luajmë lojëra me ta. Ne testojmë raketa gjatë gjithë kohës, por e dini që kemi një nëndetëse bërthamore, dhe nuk kemi nevojë të shkojmë 8000 milje. Nuk mendoj se është një gjë e përshtatshme që Putini të lavdërohet. Duhet t’i jepni fund luftës, një luftë që duhej të kishte zgjatur një javë tani është në vitin e saj të 4-t. Kjo është ajo që duhet të bëni në vend që të testoni raketa”, tha Trump.
Reagmi i Trump erdhi pasi Putin testoi raketën me fuqi bërthamore Burevestnik. Sipas presidentit rus, arma e re e fuqishme është e aftë që të shmangë çdo sistem të mbrojtjes dhe të godasë shënjestra deri në 14 mijë kilometra larg. Putin pretendoi se raketa bërthamore qëndroi në ajër për 15 orë.

