UEFA i çon në mes të Serbisë Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin
UEFA ka vendosur që ndeshja mes Bjellorusisë dhe Zvicrës, e planifikuar për 25 mars të vitit të ardhshëm, të zhvillohet në Novi Sad të Serbisë.
Kjo do të thotë se yjet shqiptar si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, do të zbarkojnë në Serbi, në vendin ku kanë pak simpati, pasi dyshja janë shkaktarë që Serbia u diskualifikua në Kampionatin Botëror të vitit 2018 dhe në atë që u mbajt tani, Katar 2022.
Ndeshja do të luhet në stadiumin “Karagjorgje”.
Bjellorusia nuk lejohet të zhvillojë ndeshjet në territorin e saj, për shkak të përkrahjes së Rusisë në pushtimin e Ukrainës.
Ndërkohë, në të njëjtin grup me Bjellorusinë dhe Zvicrën janë edhe Kosova, Izraeli, Rumania dhe Andorra.
UEFA ende nuk ka dhënë detaje se ku do të zhvillohen ndeshjet e tjera të Bjellorusisë si vendase.