“U shkru mu vra..”/ Qytetarët në Vushtrri kapen për pronë, njëri shpallet në kërkim
Mosmarrëveshje për prona po vazhdojnë të shkarkojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, të cilat shpesh edhe eskalojnë në kërcënime serioze. Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Vushtrri, për çka një person është shpallur në kërkim nga Policia.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy qytetarë kanë hyrë në telashe me njëri-tjetrin, për shkak të një prone, që viktima e këtij rasti ka raportuar se e kishte blerë, por që një person tjetër po pretendon se është e tij.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari edhe pse nuk ka dokumentacion se kjo pronë është e tij, është kapur me viktimën, duke e kërcënuar seriozisht se “u shkru mu vra se pare nuk t’jepi e as nuk të them me ble”, thonë burimet e Sinjalit.
Viktima ka dhënë deklaratë para hetuesve, ku ka përshkruar në detaje gjithë problemin që i ka dalë me të dyshuarin dhe ka kërkuar ndihmë nga Policia.
Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe arrestimin e të dyshuarit në lidhje me këtë rast.