U raportua mbrëmë i zhdukur, gjendet i vdekur një serb në Mitrovicën e Veriut

Një serb i cili ishte raportuar i zhdukur në pjesën veriore të Mitrovicës është gjetur sot pa shenja jete, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

I ndjeri ishte raportuar mbrëmjen e së shtunës në polici si i zhdukur.

Siç kishte njoftuar PK-ja me anë të raportit 24 orësh, një person ka bërë të ditur se vëllai i tij ishte larguar nga shtëpia të premten dhe se nuk dihej asgjë për të.

Trupi i pajetë i këtij personi u gjet sot jo shumë larg shtëpisë ku ka jetuar.

Një gjë të tillë e bëri të ditur për media Veton Elshani, zëvendëskomandant i PK-së për rajonin e veriut.

Bëhet fjalë për S.N. i lindur në vitin 1970, i nacionalitetit serb.

Policia nuk beson se bëhet fjalë për vepër penale, por dyshon se ka qenë aksident.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion

Lexo edhe:  Të rinjtë në Deçan rrihen brutalisht me njëri-tjetrin, përpos grushteve përdorin edhe ‘stupca’ – VIDEO