U raportua e zhdukur në Mal të Zi, e mitura gjendet në një fshat të Drenasit, arrestohet një person për dhunim

Lidhjet me vajza të mitura janë shndërruar në dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku shpesh raportohen raste kur vajzat e moshave të vogla krijojnë raporte të afërta me persona të moshave madhore.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi, ku vajzë e mitur është raportuar e zhdukur në shtetin fqinj të Malit të Zi. Dyshimet se ajo mund të ndodhet në Kosovë, mobilizuan Policinë kosovare që të vihen në lëvizje për ta gjetur atë.

Sinjali mëson se shtetasja malazeze u gjet dje bashkë me kosovarin me të cilin po qëndronin së bashku në fshatin Tërdec të Drenasit, me ç’rast njësitet policore i kanë shoqëruar që të dy në stacion për intervistim.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, vajza e mitur është intervistuar në prezencën e zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, ndërsa 19-vjeçari u përgjigj në pyetjet e hetuesve policorë në prezencën e avokatit të tij mbrojtës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunim’.

Ndërsa e mitura është dërguar në strehimore dhe familja e saj është njoftuar se ajo është gjetur.

Lexo edhe:  Babai me djem në pranga të Policisë në Prizren, kërcënoi zyrtarët policorë që ia arrestuan të birin për drogë