U mblodhën t’i ‘pleqnojnë’ problemet mes një çifti, 52-vjeçari në Gjilan gjuan me armë që t’i frikësojë miqtë

Problemet bashkëshortore mes një çifti shpesh herë kapërcejnë muret e shtëpisë. Në tentativë për t’i shpëtuar ndarjes e në disa raste edhe për t’u ndarë sipas Kanunit, burra të të dyja familjeve që janë në miqësi me njëra-tjetrën, mblidhen në një vend të caktuar për të gjetur një zgjidhje për telashet mes çiftit, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur në Gjilan pasi një çift nga fshati Gadish kanë përfunduar në Polici si pasojë e dhunës në familje.

Sinjali mëson se pas denoncimit të rastit në organet e hetuesisë, gruaja ka njoftuar për atë që ka ndodhur edhe familjarët e saj dhe si rrjedhojë pjesëtarë të familjes Bajrami dhe Kelmendi janë mbledhur që të ‘pleqnojnë’ hallet që kishin.

Mbledhja që u mbajt në shtëpinë e familjarit të dhëndrit, nuk shkoi e gjitha vaj, për shkak se pos diskutimeve aty pati edhe të shtëna me armë zjarri.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se nikoqiri ka gjuajtur me armë zjarri në ajër, me qëllim që t’i frikësojë anëtarët e familjes Kelmendi, të cilët ishin atje për të gjetur një zgjidhje për bijën e tyre e cila ishte viktimë e dhunës në familje.

Ka qenë vëllai i gruas ai i cili ka denoncuar rastin në Polici, gjë që ka bërë që njësitë policore të aktivizohen për arrestimin e 45-vjeçarit të dyshuar.

I dyshuari me të kryer veprën për të cilën dyshohet, është larguar në drejtim të panjohur nga vendi i ngjarjes.

E 10 ditë pas ndodhisë, 45-vjeçari është paraqitur në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me atë që ka ngjarë në shtëpinë e tij.

Arma që dyshohet se u përdor është konfiskuar nga organet kompetente, ndërsa me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’,  ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Lexo edhe:  Gruaja e viktimës në Podujevë është plagosur nga gjuajtja e sotme