U kap si në filma, i riu që sulmoi Policinë është recidivist i dhunës në familje dhe përdorues i drogës
I dyshuari për dhunë në familje dhe sulm ndaj tre zyrtarëve të Policisë në Prizren tashmë ka rënë në duart e Policisë. Kushtrim Buduri u arrestua mbrëmë pasi dyshohet se sulmoi Policinë që shkoi të intervenojnë në familjen e tij. Burimet nga Prokuroria kanë dhënë detaje të reja se si ndodhi rasti në familjen Buduri të hënën në orët e mbrëmjes.
Gjithçka dyshohet se kishte nisur në orët e mbrëmjes, ku pas një mosmarrëveshje në shtëpi, konflikti verbal kishte eskaluar në rrahje, ashtu që i dyshuari ka sulmuar fizikisht dy prindërit e tij dhe bashkëshorten. Për shkak të frikës nga djali që është recidivist i rasteve të dhunës në familje, dikush prej tyre ka arritur që të njoftojë Policinë për të intervenuar.
Në momentin që patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari iu është vërsulur edhe atyre, duke i sulmuar tre policët që ndodheshin në veturën zyrtare, të cilën po ashtu ua ka dëmtuar.
Ai arriti të largohej ato momente me veturën e tij, të cilën e braktisi, për të vazhduar me një veturë tjetër, derisa pas mesnatës Policia arriti ta kap në njërën nga rrugët e qytetit. Por i dyshuari sërish ka tentuar të ikë, çka e bëri Policinë t’i vihet pas derisa u arrestua.
Buduri është po ashtu përdorues i substancave narkotike.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Dhunë në familje, Vrasje në tentativë dhe Dëmtim i pronës’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.