U kap me mbi gjysmë kg marihuanë, ky është 21-vjeçari që u arrestua për shitblerje të drogës

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Për një rast të tillë, është arrestuar dje një person në Pejë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Brahim Nikçi, 21-vjeçar, nga fshati Qyshk.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Nikçi u zbulua pasi i njëjti u ndalua nga Policia për kundërvajtje në komunikacion. Gjatë kontrollit, atij i janë gjetur dhe sekuestruar disa cigare të mbështjella me substancë të dyshuar narkotikë të llojit marihuanë.

Kjo ka shtyrë Policinë që në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, të kryejnë bastisje në shtëpinë e të riut, ku kanë gjetur dhe sekuestruar disa qese me marihuanë, pesha e të cilave është mbi gjysmë kilogrami.

Nikçi është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e 21-vjeçarit dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ky është polici që po dyshohet se kanosi kolegun e tij që intervenoi në rastin ku u përfshi