U kap duke ushtruar dhunë ndaj një gruaje, momenti kur arrestohet një person në Pejë

Dhuna është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Ato përballen me dhunë sistematike në forma të ndryshme si psikike, fizike e seksuale. E të dyshuar në këto raste, zakonisht janë persona të afërm të tyre.

Një person ka përfunduar sot në pranga, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha për Sinjalin se në pranga ka rënë edhe gruaja e cila ishte viktimë e dhunës.

Sipas Gashit, e dyshuara ka penguar zyrtarët policorë që shkuan të intervenojnë në rast në rrugën ‘UÇK’ te Parku i Madh në Karagaq.

“Sot rreth orës 17:45, Policia është njoftuar për një përleshje në rrugën “UÇK”te Parku i Madh në Karagaq. Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, kanë takuar dy persona duke u përleshur, një mashkull dhe një femër. I dyshuari është kapur duke ushtruar dhunë ndaj vajzës, teksa kjo e fundit ka penguar zyrtarët policorë të kryejnë detyrën e tyre. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim. I dyshuari edhe në stacion policor ka kanosur verbalisht policët dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, tha Gashi.

Ndërkohë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet momenti i arrestimit të të dyshuarit.

Lexo edhe:  Dërgohet në paraburgim i dyshuari për bixhoz të kundërligjshëm në Skenderaj