U kap duke u përqafuar me kolegen në koncert – suspendohet shefi pas skenës virale në Coldplay
Shefi ekzekutiv i kompanisë amerikane Astronomer, Andy Byron, është pezulluar nga detyra pasi një video ku ai shihet në një moment intim me një punonjëse gjatë një koncerti të Coldplay në Boston u bë virale në rrjetet sociale.
Pamjet e publikuara fillimisht në TikTok tregojnë Byronin dhe një grua – që më vonë u raportua se është e punësuar në të njëjtën kompani – duke u përqafuar gjatë koncertit, në momentin kur kamera e arenës i fokusoi në ekranin gjigant.
Sapo fytyrat e tyre u shfaqën para mijëra spektatorëve, ata u përkulën dhe u përpoqën të shmangnin vëmendjen, duke ngjallur dyshime për një lidhje të fshehtë.
Reagimi i menjëhershëm erdhi edhe nga frontmeni i grupit, Chris Martin, i cili komentoi nga skena: “Ose kanë një aferë, ose janë shumë të turpshëm”. Kjo deklaratë nxiti edhe më shumë spekulime – të cilat më vonë u konfirmuan.
Videoja mori miliona shikime në TikTok dhe u përhap në të gjitha platformat sociale, duke u kthyer në meme dhe temë diskutimi në emisione televizive në SHBA.
Pas dy ditësh reagimesh të ashpra publike, Astronomer lëshoi një deklaratë zyrtare, ku njoftoi nisjen e një hetimi të brendshëm lidhur me sjelljen e CEO-së, pa përmendur drejtpërdrejt ngjarjen.
“Astronomer mbetet e përkushtuar ndaj vlerave dhe kulturës që na kanë udhëhequr që nga themelimi. Liderët tanë pritet të jenë shembull në sjellje dhe përgjegjësi. Bordi Drejtues ka nisur një hetim zyrtar dhe do të ndajmë më shumë detaje së shpejti”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Aktualisht, Byron është pezulluar nga pozita e tij derisa të përfundojnë hetimet.