U gjet i zhveshur në vendngjarje, ky është 34-vjeçari që u arrestua në Pejë pasi u kap duke rrahur një vajzë

Gazeta Sinjali mbrëmjen e së martës raportoi për arrestimin e një personi te Parku i Madh Karagaq në Pejë, i cili u kap në flagrancë duke ushtruar dhunë ndaj një vajze. E përpos tij, në stacion policor u shoqërua edhe 23-vjeçarja e cila ishte viktimë e dhunës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 34-vjeçarin, Frashër Belegu.

Belegu në vendin e ngjarjes ishte kapur në flagrancë duke ushtruar dhunë ndaj 23-vjeçares, teksa ishte pjesërisht i zhveshur. Në momentin e arrestimit, ai dyshohet se ka kanosur zyrtarët policorë që shkuan të intervenojnë në rast.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Fadil Gashi, i tha Sinjalit të martën se edhe e dyshuara ka penguar policët që të kryejnë detyrën e tyre.

Gashi njoftoi se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara do të hetohet në liri.

“Sot rreth orës 17:45, Policia është njoftuar për një përleshje në rrugën “UÇK”te Parku i Madh në Karagaq. Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, kanë takuar dy persona duke u përleshur, një mashkull dhe një femër. I dyshuari është kapur duke ushtruar dhunë ndaj vajzës, teksa kjo e fundit ka penguar zyrtarët policorë të kryejnë detyrën e tyre. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim. I dyshuari edhe në stacion policor ka kanosur verbalisht policët dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt”, tha Gashi mbrëmjen e së martës.

Ndërkohë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet momenti i arrestimit të të dyshuarit.

Lexo edhe:  Dy kadetë nga Kosova diplomojnë në shkollën më të mirë ushtarake në botë