U gjet i varur në qeli: I burgosuri ishte i dënuar për dhunimin e dy të miturave
Një i burgosur ka humbur jetën mbrëmjen e sotme në Burgun e Sigurisë së Lartë në Kosovë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë njoftuar se rreth orës 22:00, i burgosuri me inicialet E.G. është gjetur i varur në dhomën e tij, me puls të dobësuar.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas rastit kanë reaguar stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit si dhe emergjenca e qytetit, mirëpo pavarësisht përpjekjeve për ofrimin e ndihmës mjekësore, i burgosuri nuk ka arritur të rikthehet në jetë, shkruan IndeksOnline.
I ndjeri ishte duke vuajtur dënim me burgim prej 24 vitesh, të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prizren, pasi ishte shpallur fajtor për dy vepra penale të dhunimit ndaj dy vajzave të mitura, nën moshën 14 vjeç.
Sipas aktgjykimit, në rastin e parë, E.G. nga muaji nëntor i vitit 2023 deri më 1 mars 2024 e kishte detyruar një të mitur që të kryente akte seksuale me të.
Ndërsa, në rastin e dytë, nga një kohë e pavërtetuar deri më 1 mars 2024, ai kishte detyruar edhe një të mitur tjetër që të kryente akte seksuale.
Gjykata kishte shqiptuar ndaj tij dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 24 vitesh, ku i llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 1 mars 2024, ndërsa masa e paraburgimit i ishte vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
E.G. ishte pranuar në institucionin korrektues më 15 gusht 2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë për datën 1 mars 2048.
Lidhur me rastin e vdekjes janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

