U dogjën dy vetura dhe zjarri nisi të shpërndahej në ndërtesë- Drejtori i emergjencave në Prishtinë jep detaje, thotë se ende s’dihet shkaku

Zjarri kaploi mbrëmë një ndërtesë në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Dëme të mëdha u shkaktuan nga ky zjarr, e në rrezik ishin edhe shumë prej banorëve.
Për fat të mirë ky zjarr u arrit të lokalizohet dhe të shuhet, duke mos lënë pasoja tek njerëzit.

Zjarri u arrit të shuhej falë reagimit të zjarrëfikësve bashkë me Policinë e Kosovës.

Në pamjet e publikuara mbrëmë është parë një bashkëpunim fantastik në mes të dy palëve, e janë parë zjarrfikës e zyrtarë policorë që hynin në ambientet përplot me tym për t’i larguar banorët nga aty.

Zjarri që nisi rreth orës 18:40 në lagjen “Emshir” shkaktoi dëme materiale duke djegur dy vetura, derisa 13 persona u evakuuan nga vendi i ngjarjes.

Në lidhje me rastin lajmi.net ka kontaktuar me drejtorin e emergjencave, Lulzim Fushtica i cili dha informacione shtesë për këtë çështje.

“Zjarri kaploi parkingun e ndërtesës. Janë evakuuar 13 persona, gjendja e tyre është e mirë, mbrëmë kanë marrë ndihmën e parë nga vendi i ngjarjes nga ekipet emergjente të urgjencës mjekësore”, deklaroi Fushtica.

Ai gjithashtu bëri të ditur se rasti është në hetim, që të dihet se si erdhi deri tek ky zjarr.

“Po hetohet nga Policia e Kosovës dhe hetuesit e zjarrit të zjarrfikësve që të vërtetohet se cili ka qenë shkaktari i zjarrit, a ka qenë zjarr i qëllimshëm apo aksidental i shkaktuar nga pakujdesia. Këto janë informatat preliminare, pasi ende duhet të vlerësohet arsyeja e zjarrit. Pra, çdo gjë ka filluar në parkingun e ndërtesës, ku janë djegur dy vetura, zjarri nuk ka depërtuar në pjesë të tjera të ndërtesës, ishte vetëm tymi që shkaktoi panik te qytetarët, për këtë arsye qytetarët janë evakuuar e jo për shkak të rrezikut potencial, por për shkak të panikut dhe frikës që kishin ata”,tha Fushtica.

Lexo edhe:  Kjo është gjendja e punëtorit që u rrah me çekan në “Prishtina Mall”

Sipas tij, çdo gjë është vënë mbrëmë nën kontroll, ekipet emergjente të zjarrfikësve kanë qenë nën kujdestari gjatë tërë natës për të evituar rrezikun e rindezjes së zjarrit.

“Jo, nuk ka pasur asnjë të lënduar. Qytetarët kanë kërkuar ndihmë për shkak të tymit, por nuk ka pasur asnjë të lënduar. Të gjithë janë trajtuar në vend, kanë qenë pesë ambulanca që kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe i kanë ofruar të gjitha ndihmat e nevojshme qytetarëve, andaj nuk ka pasur nevojë për t’i dërguar në ndonjë institucion tjetër”, tha Fushtica për lajmi.net.

Duhet përmendur faktin se gjatë dy viteve të fundit në vendin tonë ka pasur mjaftë shumë raste të zjarreve që nisin nga djegia e makinave. Kësisoj rreziku që i kanoset gjithë qytetarëve, ku objektet në fjalë mund të përfshihen të gjitha nga zjarri. është i lartë.