U dënua me 4 mijë € për shitblerje të drogës dhe s’e pagoi gjobën, ky është i riu që përfundoi në burg
Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga Policia e të tjerë të dënuar nga Gjykatat arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale, por që të cilët kanë ikur nga duart e drejtësisë.
Në mesin e personave që kanë rënë në prangat e Policisë ditëve të fundit është edhe një 39-vjeçar, i cili ishte dënuar me gjobë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sinjali mëson se i dyshuari që u arrestua është Liridon Krasniqi, i cili nuk e kishte paguar gjobën prej 4 mijë eurove dhe për pasojë dënimi i ishte zëvendësuar me burgim prej më shumë se gjashtë muajsh.
I njëjti është ndaluar në pikën kufitare në Merdar, ku është kontrolluar dhe verifikuar, me ç’rast ka rezultuar se ndaj tij ka urdhëresë aktive.
Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese në vend për ta vuajtur dënimin.