Trupi i Faton Hajrizit arrin në Kosovë  

Trupi i pajetë i Faton Hajrizit ka arritur në Kosovë në orët e para të së premtes.

Vetura me të cilën po transportohej trupi i Hajrizit arriti në Merdar rreth orës 2. Familja dhe shokët e Hajrizit po prisnin në Merdar.

Avokati i angazhuar nga familja Hajrizi, Arianit Koci, ka thënë se ka realizuar premtimin e dhënë se do ta sjellë trupin në Kosovë.

“Unë kam premtuar se do ta sjell trupin. Misioni ka përfunduar mirë. Jam shumë i lodhur, s’mund ta zgjasë shumë. Trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorit dhe Policisë së Kosovës. Ata vazhdojnë tash me procedurat e mëtutjeshme. Do të ketë ekzaminime shtesë, është në kompetencë të prokurorit, besoj deri të hënë apo të martën do të kryhen të gjitha. Gjitha dokumentet që kam pasur ia kam dorëzuar prokurorisë sonë, policisë, kështu që kemi pasur një koordinim të shkëlqyer. Shumë na ka ndihmuar Zyra e Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë Koci.

 

Faton Hajrizi u vra më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër. Faton Hajrizi qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi të enjten mbrëma se Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje që të tërhiqet trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, që është raportuar se është vrarë në Lloznicë më 19 korrik.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që sot Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, të raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë. Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë. Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar”, është njoftuar nga MPJD.

Lexo edhe:  Mërgimtarin e zë sherri me Policinë, gjuajti shtatë herë me armë duke festuar martesën e nipit – i konfiskohet pasaporta gjermane