Tre burra kundër një gruaje: Këta janë anëtarët e familjes Bacaliu nga Malisheva që dyshohet se rrahën 32-vjeçaren

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë kryesisht nga bashkëshortët, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i trishtë dyshohet se i ka ndodhur edhe një gruaje në fshatin Kijevë të Malishevës, e cila ka denoncuar për dhunë bashkëshortin, vjehrrin dhe kunatin e saj.

Sinjali mëson se tre të dyshuarit për sulmin fizik ndaj 32-vjeçares janë Sokol Bacaliu (bashkëshorti), Halim Bacaliu (vjehrri) dhe kunati i saj, Artoni.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku pas një konflikti verbal mes viktimës dhe vjehrrit të saj, ky i fundit ka eskaluar në dhunë fizike. E në ndihmë atij i dolën edhe djemtë e tij, bashkëshorti i viktimës, Sokoli dhe Artoni.

Viktima ka denoncuar rastin në Polici gjatë ditës së djeshme, ku është paraqitur me lëndime të dukshme trupore dhe më pas të njëjtës i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore. Për shkak se ajo nuk është ndjerë e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën në shtëpinë e familjes Bacaliu, është dërguar në shtëpinë e prindërve të saj.

 

Si rezultat i denoncimit, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që Halimi bashkë me djemtë e tij, Sokolin dhe Artonin, të dërgohen në mbajtje dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Vetaksident në autostradë: Gruaja vdes, shoferi dhe fëmijët me lëndime serioze

Kujtojmë se rastet e dhunës në familje shpesh herë kanë përfunduar me fatalitet për gratë. Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. E ndër rastet më çnjerëzore ka ndodhur dje në Pejë, ku një person dyshohet se ka vrarë nënën e tij me thikë dhe më pas ka kryer akte kanibalizmi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.