Tre anëtarë të bordit të KPMM-së fillimisht u takuan me Albin Kurtin, më pas u përzgjodhen

Kryesuesja e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Selvete Grajqevci- Pllana, ka thënë se përpara se emri i saj të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim ajo ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Për takimin ajo ka thënë se ka qenë i shkurtë, e pas këtij takimi ajo ishte emëruar kryesuese e KPMM-së.

Takimin me kryeministrin përpara se të votohen në Kuvend e kanë konfirmuar edhe anëtarët Gani Maliqi, Jahir Gashi dhe Gani Kastrati.

Jahir Gashi në një përgjigje për KALLXO.com ka dhënë detaje për diskutimin e tij me kryeministrin Kurti.

“E konfirmoj se kam pasur takim me kryeministrin para se të zgjidhem anëtar i bordit dhe për këtë ju siguroj se biseda ka qenë shumë konstruktive dhe atë vetëm lidhur me përvojën dhe përgatitjen profesionale që kam ndër vite” – ka thënë ai.

“Takimi nuk ka zgjatur më shumë se ndërmjet 5 deri 10 minuta dhe fare nuk ka pasur karakter të intervistës siç po pretendohet nga disa të tjerë. Është takimi i parë dhe i vetmi deri me tani” – ka shtuar ai.

VIDEO

Ndërsa anëtarja Rrezarta Pushkolli- Makolli ka mohuar të ketë zhvilluar takim me kryeministrin Kurti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Zyrën e Kryeministrit për të marrë përgjigje për arsyet e këtyre takimeve, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka dhënë përgjigje.

Selvete Grajqevci Pllana së bashku me anëtarët Gani Maliqi, Gani Kastrati, Jahir Gashi, Rrezarta Pushkolli-Makolli janë emëruar në bordin e KPMM-së në seancën e 6 dhjetorit 2021.

Lexo edhe:  Largimi i strukturave paralele nga objekti në Veri, Elshani: Komuna s’ka kërkuar asistencën e policisë