Trazohet kryeqyteti nga të shtënat me armë zjarri, një i plagosur në Kodër të Trimave

Sot në orët e para të mëngjesit në banorët e lagjes ‘Kodra e Trimave’ në Prishtinë, janë trazuar nga të shtënat me armë zjarri që janë dëgjuar aty, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:35 në rrugën ‘Memo Mato’, ku pas një mosmarrëveshjeje të çastit i dyshuari (emër i njohur për redaksinë), ka shtënë me armë zjarri në drejtim të 32-vjeçarit.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Sinjali mëson se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë, teksa po vazhdon trajtimin mjekësor në spital.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët kanë gjetur dy gëzhoja që dyshohet se janë të armës që u përdor në rast dhe janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

I dyshuari është shpallur në kërkim policor, pasi që i njëjti është arratisur nga vendi i ngjarjes.

Me urdhër të prokurorit, hetimet kanë nisur për dy vepra penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  Nxehet keq gjakovari që s’i bën interneti si duhet, i dehur shkon në zyrat e Kujtesës dhe thyen xhamin e arkës