Transferimi i të burgosurve nga Anglia, ky është shqiptari i parë që do të dërgohet në burgun e Shqipërisë

Transferimi i të burgosurve shqiptarë nga burgjet angleze për të vijuar vuajtjen e dënimit në ato shqiptare tashmë ka nisur.

Aktualisht në burgjet angleze vuajnë dënime të ndryshme mbi 1500 shqiptarë mes tyre 17 dënuar për vrasje me burgime të përjetshme.

Marrëveshja e transferimit të burgosurve Angli – Shqipëri firmosur në Londër nga ministri Ulsi Manja dhe homologu britanik Alex Chalk, parashikon se të burgosurit shqiptarë në shtetin ishull, vullnetarisht mund të aplikojnë për transferim.

Deri më tani kanë aplikuar me dëshirën e tyre për t’u transferuar 80 të burgosur shqiptarë të cilët vuajnë dënime me mbi katër vjet.

Rasti i parë i këtij lloji është ai i shqiptarit Neritan Kolludra, i dënuar më 7 dhjetor 2019 me 14,4 vite burg si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal për shitjen e kokainë në qytetin Peterborough.

Në vendimin e gjykatës së apelit të emigracionit në Londër thuhet se sekretari i shtetit në 7 Qershor 2021 ka vendosur dëbimin e tij në Shqipëri me argumentin se ai përbën kërcënim për interesat e sigurisë në Britanisë së Madhe, raporton TCH.

Kolludra e apeloi vendimin e transferimit në një burg shqiptar, me argumentin se kjo do ta ndante atë nga bashkëshortja dhe fëmijët, vizitorë të përmuajshëm në burgun anglez ku ai mbahet.

Por gjykatësi Mark Blundell nuk e pranoi apelimin e Neritan Kollundrës duke i hapur rrugë transferimit në një burg shqiptar.

 

Lexo edhe:  Ngjarja e dhimbshme për familjen Kadriaj, zyrtari policor që humbi djalin sot tragjikisht në Suharekë