Tragjike, vdes një këmbësor pasi u godit nga vetura në Mazgit
Një këmbësor ka vdekur pasi dyshohet se është goditur nga një automjet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë.
Aksidenti tragjik ka ndodhur në segmentin rrugor në fshatin Mazgit rreth orës 17:00.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 17:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, respektivisht në fshatin Mazgit, me ç’rast një veturë ka përplasur një këmbësor. Si pasojë e aksidentit këmbësori ka humbur jetën”-ka thënë ai.
Tutje ai ka njoftuar se njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.
Në adresë të KALLXO.com një qytetar ka dërguar pamje nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e aksidentit, rruga në drejtim të qytetit të Mitrovicës është e bllokuar ndërsa qytetarët janë udhëzuar që të përdorin rrugë alternative.