Tragjike: Ky është i riu që u ther me thikë për vdekje në Podujevë
Një mosmarrëveshje në trafik mbrëmë në Gllamnik të Podujevës përfundoi tragjikisht. Një 22-vjeçar u ther me thikë për vdekje nga një person i dyshuar pas konfrontimit derisa po lëviznin me veturat e tyre. I riu u dërgua në gjendje të rëndë dhe nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve.
Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Amir Zhegrovën, i cili u godit me thikë në gjoks.
Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur i dyshuari dhe viktima ishin me veturat e tyre duke lëvizur, kur papritmas i dyshuari e tejkaloi dhe ia zuri rrugën, e më pas nxori thikën. Aty, viktima u godit me thikë në gjoks nga i njëjti dhe më pas iku nga vendi i ngjarjes.
Viktima, i cili ndodhej me miq, u dërgua me urgjencë në spital, ku pas ndihmës së parë në Podujevë është transportuar për në QKUK.
Policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur personin e dyshuar në lidhje me këtë rast. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.