Tmerrohet familja Hyseni në Ferizaj: Gruaja zgjohet nga gjumi dhe ‘zatet’ hajnat në shtëpi, ua thërret Policinë

Vjedhjet e grabitjet brenda shtëpive po u shkaktojnë pasiguri e humbje të mëdha qytetarëve të vendit. Rastet më të shpeshta ndodhin kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, periudhë kjo që shfrytëzohet nga hajnat. Por ka edhe të atillë që pa iu trembur syri depërtojnë nëpër shtëpi edhe kur familjet ndodhen aty.

Me një rast të tillë dhe mjaft të frikshëm është përballur mbrëmë pas mesnate një familje në fshatin Bibaj në Ferizaj. Sinjali mëson se në shtëpinë e familjes Hyseni, hajnat kanë hyrë me forcë, teksa gruaja me fëmijët e saj ishin në gjumë dhe arritën të merrnin rreth 20 mijë euro stoli ari e gjësende me vlerë.

Ky rast e ka tmerruar gruan e cila i dëgjoi hajnat pasi hynë në shtëpinë e saj dhe fshehurazi i pa të njëjtit teksa kërkonin gjësende me vlerë e para. Përballë kësaj situate, ajo vendosi që të kërkojë ndihmë nga vjehrri i saj për ta njoftuar Policinë.

Plani i saj funksionoi dhe Policia arriti në vendin e ngjarjes, ku i kapi në flagrancë të dyshuarit, por fatkeqësisht vetëm njërin e arrestuan pasi të tjerët arritën të iknin.

Personi që u kap është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë. Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për identifikimin e të dyshuarve të tjerë dhe kapjen e tyre./sinjali

Lexo edhe:  "Fëmijët e Liridonës dhe Naimit mund t’u jepen në përkujdesje ndonjë familjeje suedeze"