Tifozët e Lille me pankartë të turpshme për Kosovën, Crvena Zvezda i falënderoi në frëngjisht
Lojtarët e Crvena Zvezdas fituan në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Ligës së Evropës me rezultat 1-0 si mysafir ndaj Lille, ndërsa përballja në Francë u shënua edhe nga një mesazh i turpshëm nga tribunat e tifozëve vendas.
Takimi u zhvillua në stadiumin Stade Pierre-Mauroy, ku ishte mbledhur një grup i tifozëve më të zjarrtë të skuadrës franceze.
Edhe pse stadiumi nuk ishte i mbushur plot, mbështetësit më besnikë të Lilles shpalosën një flamur që paraqiste Kosovën si pjesë të Serbisë, së bashku me një pankartë me mbishkrimin “Jo dorëzim”.
Lëvizja e tyre, duke ushqyer obsesionin e serbëve ndaj Kosovës, nuk kaloi pa u vënë re.
Crvena Zvezda reagoi shpejt përmes profilit të saj zyrtar në rrjetin social X, ku shkurt shkroi “Merci!” në frëngjisht, duke falënderuar tifozët e ekipit vendas.
Sa i përket fushës, klubi beogradas arriti një fitore minimale, por të vlefshme, me rezultatin 1-0, duke siguruar kështu një avantazh të konsiderueshëm para ndeshjes së kthimit.

