Tërheqjen nga Trusti s’po e kërkojnë të pasurit, por ata që kanë rroga mesatare

Më 5 nëntor, qytetarët e Kosovës do të organizojnë përsëri protestë për të lejuar tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Njëri ka organizatorët e kësaj proteste, Visar Dili thotë se kjo protestë po bëhet përsëri pasi Qeveria dhe mazhoranca nuk po ndërmarrin hapa korrekt për t’a përkrahur këtë nismë.

Dili thotë se pasi nga Qeveria nuk morën asnjë mendim negativ apo pozitiv, u detyruan “të dalin në rrugë”.

“Nga data 21 shtator deri më 21 tetor nga Kuvendi i Kosovës kam shkuar në Qeveri për mendim. Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë mendim, as pozitiv, as negativ, në këtë drejtim, dhe për këtë arsye ne vendosëm që tash të dalim në rrugë dhe të kërkojmë të drejtën tonë, të tërheqjes së disa mjeteve nga Trusti në këtë krizë dhe në këtë gjendje momentale”, tha ai në Tëvë 1.

Aktivisti Dili theksoi se tërheqjen e Trustit nuk po e kërkojnë “të pasurit e Kosovës”, por ata që kanë rroga mesatare apo një rrogë prej 250 eurosh.

“Në këtë formë, atyre, tërheqja e mjeteve nga Trusti do t’ua lehtësonte pak a shumë dimrin e vështirë në të cilin vetëm se do të kalojmë dhe që është duke u paralajmëruar jo vetëm në Kosovë, mirëpo në të gjithë Evropën”, shtoi ai.

Ai beson se në këtë protestë, qytetarët do të marrin pjesë masovisht.

Lexo edhe:  Shoferi e humb kontrollin nga shpejtësia e madhe, përfundon në oborrin e një shtëpie në Mitrovicë