Tërheqja e Trustit: Kamishi ecën vetëm, kundërshtohet nga pozita
Me fillimin e sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, është kthyer sërish për diskutim në opinionin publik çështja e Trustit Pensional.
Deputeti më i zëshëm në këtë temë, Bekim Haxhiu, për të tretën herë radhazi po kërkon tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti Pensional.
Në dy tentimet e para, deputeti i PDK-së nuk kishte marr mbështetje nga Qeveria për tërheqjen e këtyre mjeteve, në tentimin e fundit ka shpresa që kjo iniciativë nuk do të dështojë.
Bekim Haxhiu: Iniciativa e tretë është e vërteta për tërheqjen e Trustit
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në një prononcim për Front Online thotë se ka kërkesa nga qytetarët për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Sipas tij, kjo po kërkohet për nevoja shëndetësore dhe sociale.
Ai shpreson që kësaj radhe nuk do të dështojë kjo nismë.
“Ka kërkesa të vazhdueshme të qytetarëve të cilët insistojnë se duhet të riprocedohet kërkesa për tërheqjen e 30% të Trustit dhe mundësia e tërheqjes së Trustit për nevoja shëndetësore dhe sociale. Duhet të bisedojmë me deputetët e Kuvendit që iniciativa e tretë të mos dështojë dhe po shpresojmë që do të ndodhë kështu”, deklaron Haxhiu për Front Online.
Agusholli-Haxhiut: Tërheqja e mjeteve nga Trusti për nevoja sociale, absurde
Me kërkesën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu për tërheqjen e një pjesë të mjeteve nga Trusti Pensional, nuk po pajtohet deputeti i “Lëvizjes Vetëvendosje”, Gramos Agusholli.
Agusholli në një prononcim për Front Online thotë se është absurde të kërkohet një gjë e tillë për nevoja sociale.
Ai ka ironizuar me Haxhiun, duke thënë se “në kohë fushate, çka s’ndien njeriu”.
“Një kërkesë e tillë për tërheqjen e një pjese të trustit për nevoja sociale më duket krejtësisht absurde dhe e pavend”, deklaron deputeti i VV-së.
Deputeti Agusholli theksoi se shteti ka mekanizma t’i ndihmojë qytetarët kur kanë nevojë.
“Shteti i Kosovës është një shtet i konsoliduar, dhe ka mekanizma për të ndihmuar qytetarët në momente kur atyre u nevojitet mbështetje shtesë. Këtu përfshihen shërbime shëndetësore pa pagesë dhe shtesa të ndryshme sociale. Nuk po pretendoj se kjo është bërë në këto katër vite, por përgjatë ndërtimit të shtetit ku meritë kanë të gjithë që kanë kontribuar”.
Tutje, Agusholli ka thënë se ka ende vend për t’ua përmirësuar mirëqenien qytetarëve, por jo me Trustin Pensional.
“A janë këto masa të mjaftueshme? Sigurisht që jo. Ka ende shumë për të bërë për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, por kjo nuk do të thotë se kërkesa për tërheqjen e trustit është e justifikueshme”, deklaroi Agusholli për Front Online.
Time Kadrijaj: Qytetarët në gjendje të rënduar ekonomikisht, Qeveria ta përkrah iniciativën për Trustin
Nga “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, Time Kadrijaj ka folur për Front Online lidhur me kërkesën e deputeti Bekim Haxhiu për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.
Kadrijaj ka kërkuar nga Qeveria të lejohet një iniciativë e tillë, pasi sipas saj, qytetarët janë në gjendje të rënduar ekonomike.
Deputetja Kadrijaj ka kërkuar reflektim nga pushteti lidhur me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
“Kemi parë këtë iniciativë edhe më herët që qytetarët kanë kërkuar të tërhiqet një shumë e mjeteve nga Trusti sepse janë në gjendje të rënduar ekonomike e sociale dhe nuk kanë pas përkrahje nga Qeveria. Kjo do të ishte një zgjedhje që ju kish ndihmuar sado pak qytetarëve se kostoja e jetesës është rritë, Qeveria duhet të reflektojë të përkrahë këso iniciativa”, deklaroi Kadrijaj.
Më 23 qershor(2022) në Kuvend ishte rrëzuar nisma e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional. Kundër këtij projektligji kanë votuar deputetët Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 102 deputetë në sallë, 44 patën votuar për, 57 kundër dhe 1 abstenim./Front Online