Tentuan të manipulojnë testin për patentë shoferi në Mitrovicë, kapen 2 persona – sekuestrohen 2 mijë euro
Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për manipulim gjatë procesit të testimit për patentë shofer në Mitrovicë të Veriut, shkruan “Jepi zë”.
Sipas Policisë, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me Stacionin Policor Mitrovicë Veri, ka ndërmarrë veprime hetimore pasi është identifikuar një rast i dyshuar i manipulimit gjatë testit për patentë shofer.
Dyshohet se një person kishte tentuar të hynte në testin me shkrim në emër të një kandidati tjetër.
Pas veprimeve policore, të dyshuarit janë arrestuar dhe janë sekuestruar disa prova materiale, përfshirë dy telefona celularë dhe 2 mijë euro para të gatshme që dyshohet se lidhen me rastin.
Me vendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

