Tentuan të lirojnë një të dyshuar, IPK suspendon dy zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për dy zyrtarët policorë të cilët dyshohen se kanë tentuar të lirojnë përkohësisht një të dyshuar për armëmbajtje pa leje i cili ishte arrestuar nga policia në Pejë dhe ishte në qendrën e ndalimit në stacionin policor të Pejës.

Sipas njoftimit nga IPK, mbrëmë hetuesit kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës për një rast ku dyshohet se dy zyrtarë policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre.

“Sipas informacioneve fillestare që kanë pranuar hetuesit e IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë tentuar të lirojnë përkohësisht një të dyshuar për armëmbajtje pa leje i cili ishte arrestuar nga policia në Pejë dhe ishte në qendrën e ndalimit në stacionin policor të Pejës”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit.

“Në kuadër të hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për dy zyrtarët policorë të dyshuar në këtë rast.

IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, theksohet në njoftimin e IPK-së.

Lexo edhe:  Tragjike: Personi që u gjet i vdekur në varrezat e Gjurakocit është vëllai i kryetarit të Istogut