Tentim grabitjeje në Skenderaj – hajni i maskuar tenton ta hapë arkën nën kërcënim me thikë

Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët, ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Vjedhjet e grabitjet shpesh kryhen edhe nën kërcënimin e armëve të zjarrit ose mjeteve të tjera të rrezikshme.

Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e 25.11.2025 në Qendrën Tregtare “Arjeta” në fshatin Klinë e Epërme – Skenderaj, ku një person i maskuar ka tentuar të kryejë grabitje nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas të dhënave që ka siguruar Sinjali, rreth orës 21:40 është pranuar informatë përmes telefonit se një person mashkull i maskuar ka hyrë në market, i veshur me rroba të zeza, me maskë në kokë dhe doreza në duar, duke mbajtur në dorë një mjet të mprehtë që dyshohet të ketë qenë thikë dhe ka tentuar ta grabisë arkën e marketit.

Sipas ankueses Q.H dhe dëshmitarëve, i dyshuari ka tentuar ta hapë arkën e arkëtarit, por nuk ka arritur pasi që ajo ishte e mbyllur me çelës. Pas dështimit për ta hapur, i dyshuari është larguar në këmbë në drejtim të fshatit Kuqicë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë intervistuar ankuesen dhe dëshmitarët. Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.

Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që ngjarja të iniciohet si vepër penale “Grabitje në tentativë”, ndërsa hetimet janë në zhvillim për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur në rrethana shqetësuese, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Lexo edhe:  Shqiptari përplasi dhe tërhoqi zvarrë të renë greke me makinë, zbardhet ekspertiza