Të shtëna me armë zjarri në Ferizaj, plumbi përfundon në dhomën e një shtëpie

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.

Një rast i tillë i frikshëm ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në fshatin Sojevë të Ferizajt, ku persona ende të paidentifikuar kanë shtënë me armë në afërsi të një shtëpie private.

Pronari i shtëpisë ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se ka dëgjuar krismat dhe më pas ka vërejtur se në njërën nga dhomat e gjumit ka përfunduar predha e plumbit.

Me të marrë informatën, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar, teksa ka sekuestruar predhën që dyshohet se i përket armës që u përdor në rast.

Sinjali raporton se me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Biznesmenët nga Mitrovica e Vushtrria shkojnë në Umre në Arabinë Saudite