“Të pamoralshëm, s’ju ka hije”, flet babai i 16-vjeçarit të rrahur nga policia në Drenas

Bujar Gjoka, babai i 16-vjeçarit që u rrah nga disa policë në Drenas ka pasur kritika të mëdha në drejtim të tyre, duke i konsideruar të pamoralshëm.

Ai madje ka thënë që gjendja e tij ka qenë tejet e rënduar kur e ka parë videon e rrahjes.

Gazeta Sinjali raportoi dje ekskluzivisht se tre policët e suspenduar për këtë rast janë Nexhat Doberdelani, Burim Halilaj dhe Miftar Qorri.

“Në atë moment [pasi e kam parë videon], kom shku te mjeku. Tensioni i zemrës mbi 120 më ka shku. E kam edhe raportin e mjekut”, ka thënë Gjoka në Klan.

“Nuk i ka hije një policit me uniformë të Republikës së Kosovës me e rreh një djalë 16-vjeçar me duar të lidhura”.

“Unë nuk e fajësoj krejt policinë e Kosovës, por individët e pamoralshëm, të pandërgjegjshëm – dhunë brutale ndaj fëmijëve”.

Gjoka madje ka rrëfyer se çfarë i ka thënë djali i tij në lidhje me rrahjen.

“Bab, tha, kur më kanë kapë – e ka pasë një duks – ma kanë ndalë frymën, ma kanë qitë gunin këtu, edhe sa kanë mujt më kanë sillë”.

Për suspendimin e policëve ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.

“Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 10.06.2024 në Drenas rreth orës 20:00 në një ndeshje në palestrën sportive ku pas përfundimit të saj zyrtarët policor kishin arrestuar një të dyshuar”.

“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët janë të dyshuar për veprën penale ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Lexo edhe:  Shembull i mirë: I riu nga Mitrovica pasi gjen një kuletë me para e kthen tek pronari