Të miturat problematike nga Prishtina: Njëra godet qëllimisht me veturë motrën e tjetrës, ajo ia nxjerr thikën

Disa vajza në Prishtinë i ka zënë sherri me Policinë të shtunën mbrëma në rrugën “Ukshin Hoti”. Njëra prej tyre dyshohet se me veturë ka goditur qëllimisht një 20-vjeçare. Për të mos mbaruar me kaq, gjatë konfliktit verbal dyshohet se u ekspozua edhe një armë e ftoftë nga motra e viktimës.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit nga Prokuroria dhe kanë dhënë detaje se si ndodhi ngjarja.

Gjithçka dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshje mes dy palëve, kur për një moment e mitura gjatë lëvizjes me veturë dyshohet se ka goditur me qëllim 20-vjeçaren, të cilës i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor.

Në anën tjetër, bashkë me viktimën ka qenë edhe motra e saj, po ashtu e mitur e cila ka ekspozuar një thikë gjatë përplasjes.

Policia arriti të intervenojë pasi dikush i njoftoi në lidhje me ngjarjen, me ç’rast njësitë policore intervenuan, duke shoqëruar në stacion policor palët.

Ndaj të dyshuarës së parë është iniciuar rasti për “Lëndim të rëndë trupor”, ndërsa ndaj motrës së viktimës, është hapur rasti për “Posedim të paautorizuar të armëve”

Lexo edhe:  Therje me thikë në Vushtrri: 25-vjeçari dërgohet me urgjencë në spital, arrestohen të dyshuarit