Të mërkurën dhe të enjten bëhet hapi i parë i madh drejt liberalizimit të vizave
Para disa muajve e kërkoi enkas Holanda, kurse tashmë u është dorëzuar të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Bëhet fjalë për një të ashtuquajtur “Non- Paper” të përpiluar nga Komisioni Evropian që thotë se Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat, kjo pasi shteti i ri, në periudhat e fundit kohore, ka vendosur “kornizë të fortë ligjore e operacionale” për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe përballje me rreziqet e sigurisë e ato të migracionit.
Në dokumentin që ka pasur qasje Klan Kosova, e i cili s’është publik, thuhet se komisioni i qëndron prapa raporteve që i bëri më 2016 e 2018, që konfirmojnë përmbushjen e kushteve për heqjen e regjimit të vizave.
Ndërkohë të mërkurën dhe të enjten bëhet hapi i parë i madh drejt hyrjes së liberalizimit në agjendë.
Më 12 dhe 13 tetor, sipas njoftimit zyrtar, Grupi Punues për Vizat në kuadër të Këshillit Evropian, shqyrton dokumentin e lartpërmendur. Plani fillestar ishte që grupi të mblidhet vetëm më 13 tetor.
Ndërkaq, të premten më 14 tetor mblidhen ministrat e punëve të brendshme të Unionit, më saktësisht Këshilli i Shengenit.
Aty do të diskutohet situata e përgjithshme, me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe do të vendosin veprime në këtë fushë.
Vendimin final për liberalizim, pas kryerjes së procedurave paraprake, e merr Këshilli Evropian (KE) me shumicë të kualifikuar.
Deri më 31 dhjetor, presidencën e BE-së e mban Çekia, që lëvizjen e lirë për kosovarët në zonën Shengen e ka vendosur si njërin prej top prioriteteve të saj, sa i përket Ballkanit Perëndimor.