Të dyshuarit për spiunazh mund të dënohen nga 5 vjet deri në burgim të përjetshëm

Dy të dyshuar për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë (BIA) janë arrestuar sot në Ferizaj.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, ka thënë se dy të dyshuarit janë takuar me oficerin e BIA-s jashtë Kosovës.

Po ashtu, ka thënë se të dyshuarit nuk e kanë njohur njëri tjetrin në këtë angazhim.

“Takimet e të dyshuarve kanë ndodhur në vende ndryshme në rajon, me shërbimin sekret serb. Ata janë takuar edhe në Serbi edhe në Shqipëri, dhe jo vetëm. Ndaras gjithmonë. Informatat që ekzistojnë janë që këta nuk e kanë njohur njëri tjetri në angazhim, kjo tregon që operacioni sekret i Serbisë ka qenë tepër i detajuar”, ka thënë ai në Pressing.

Ish shefi i AKI-së, Burim Ramadani ka treguar se sa mund të dënohen Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, dy të dyshuarit që u arrestuan sot për spiunazh.

Sipas tij, minimalisht të dy mund të akuzohen deri në 5 vjet burgim, ose maksimalisht deri në burgim të përjetshëm.

“Spiunazhi me nenin 124 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është prej veprave më të rënda është 5 vjet minimalisht deri në burgim të përjetshëm.

Ajo varet se si dëshmohet në gjykatë”, tha Ramadani.

Lexo edhe:  Pupovci: Sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve do të pësojë ndryshime