Të burgosurit s’arrijnë të largohen nga droga as prapa grilave, gjendet marihuanë në Dubravë

Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.

Një rast i tillë është zbuluar dje në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku gjatë kontrollit oficerët korrektues kanë hasur në tokë sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Narkotikët janë sekuestruar, teksa janë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Lexo edhe:  18-vjeçarja denoncon për dhunë burrin me të cilin bashkëjeton, shkak xhelozia