Tarifat e energjisë, ZRRE thotë se s’ka pasur bllokim të sistemit për komente: Të gjitha janë marrë në shqyrtim
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka dalë me një sqarim pas postimeve në rrjete sociale se është bllokuar sistemi për pranimin e komenteve nga qytetarët lidhur me raportin konsultativ për tarifat e reja të energjisë.
ZRRE ka thënë se të gjitha komentet e dërguara nga qytetarët janë marrë në shqyrtim dhe nuk ka pasur asnjë bllokimi të pranimit në e-mail adresën e dedikuar për komente.
“ZRRE-ja siguron qytetarët se çdo komunikim është trajtuar me seriozitet dhe se të gjitha ankesat dhe komentet janë regjistruar në sistemin e institucionit pa asnjë ndërprerje. Pas verifikimeve të kryera, rezulton se nuk ka pasur asnjë problem teknik në sistemin e pranimit të komenteve.
Ne sigurojmë që të gjithë qytetarët dhe palët tjera që kanë dërguar komente do të kenë mundësi të marrin përgjigje rreth tyre”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, nga muaji i ardhshëm, rryma në Kosovë mund të shtrenjtohet për 15 për qind.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.
ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.
Sipas këtij institucioni, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta./