Targat “Kosova Serbi” – Dërgohen në paraburgim tre të arrestuarit në Manastirin e Deçanit
Gjykata Themelore e Pejës ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve, të cilët ishin arrestuar të dielën nga Policia e Kosovës në Manastirin e Deçanit, nën dyshimin se kanë shkruar në tabela të një veture “Kosova është Serbi”.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi tha se ata dyshohen për veprën penale “Nxitje te urrejtjes”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, njoftoi se vetura është hasur gjatë një feste ortodokse në Manastirin e Deçanit.
“Policia ka hasur në një parking një veturë me targa të Malit të Zi, ku në to ishte e shënuar ‘Kosova është Serbi’. Policia ka arritur te identifikojë të dyshuarit dhe pas një pune intensive i ka arrestuar tre persona, janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit të shtetit të njëjtit janë ndaluar për 48 orë”, dekalroi Gashi.