Syla: Kurtit i ka mbetur edhe një rrenë e madhe për ta shkelur, ajo është Zajednica

Sot do të mbahet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Takimi i ndërmjetësuar nga emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket planit të propozuar nga BE, i njohur ndryshe në publik si “plani franko-gjerman”.

Sa i përket rezultateve nga ky takim, se a do të ketë marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë apo cilat pritet të jenë të mirat dhe dëmet për palët që nuk e nënshkruajnë marrëveshjen, lajmi.net ka kontaktuar me gazetarin dhe analistin e njohur, Valon Syla.

Në një prononcim për lajmi.net, Syla ka folur edhe për qëndrimet e kryeministrin kosovar, Albin Kurti, në çështjen e Asociacionit dhe dialogut në përgjithësi, duke krahasuar qëndrimet e kryeministrit sa ishte në opozitë.

“Albin Kurti gjithçka çka ka premtuar, pothuajse e ka shkelur. Të gjithë votuesit e vet shihet se i ka mashtruar, si në aspektin ekonomik, si në aspektin e rritjes së pagave, si në aspektin e luftimit të krimit e ngrehjes zhag të kriminelëve drejt burgjeve. Njeriu më i madh që është arrestuar deri tash, si i njohur për publikun kosovar, është Burdushi. Është një gjendje qesharake për punën e kësaj Qeverie. Albin Kurtit vetëm një rrenë e madhe, që është Zajednica, që e ka përdor për me ardh në pushtet, i ka mbet pa na rrejt. E dyta rrenë të cilën ne ende nuk e dimë, është ajo se përpos Asociacionit, nëse e rren elektoratin dhe e implementon është rrenë e madhe poashtu dhe është humbje për të. Por, edhe nëse nuk e implementon dhe e ndalon ashtu siç i ka premtuar elektoratit të veti mbi 51% edhe ajo do të jetë rrenë ndaj diplomacive të jashtme, ndaj sponsorëve të pavarësisë së Kosovës, vendeve të QUINT, atyre që e ndihmuan Kosovën deri këtu, të cilët nuk do ta tolerojnë”, ka deklaruar Syla.

Lexo edhe:  Digjet pompa ‘Veda Petrol’, dëmi rreth 500 mijë euro – arrestohet një person

Ai ka thënë se Kurti ka dy mundësi, të dëmtohet në aspektin personal elektoral dhe në aspektin e vendit, duke e dërguar vendin drejt një izolimi nga diplomacia ndërkombëtare.

“Pra, Albin Kurti ose do të dëmtohet në aspektin e vet elektoral për atë çka e ka pshty dhe duhet ta lëpijë, ose do të dënohet me sanksione të rënda nga vendet e QUINT dhe diplomacive të forta perëndimore që do ta izolojnë. Pra, Albin Kurti me krejt retorikën e vet, sot ka ardh më një pikë, cilëndo zgjidhje që do ta zgjedh, do të jetë humbëse për të. Në fakt, problemi për krejt këtë, 10 vite të humbura, Albin Kurti duhet të jap llogari dhe këtë duhet t’ja kërkojë opozita”, ka thënë gazetari Syla.

Ai ka deklaruar se në rast se kryeministri Kurti nuk e pranon marrëveshjen që ka përpara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vendi do të përballet më një izolim nga diplomacia perëndimore, duke çuar edhe drejt një bllokimi ekonomik të vendit, e cila sipas Sylës, do të ishte e papërballueshme për Kosovën.