Sveçla: Veriu i Kosovës ka qenë “El Dorado” për kriminelët

“Veriu i Kosovës ishte “El Dorado” për kriminelët gjatë 20 vjetëve të kaluara, që janë bërë milionerë nga shtresa e varfër e popullsisë.

Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla për mediumin serb “N1”, transmeton Klankosova.tv.

Sveçla tha se atje në krim janë të përfshirë, serbët, shqiptarët dhe boshnjakët.

“Ajo zonë ishte si “El Dorado” për kriminelët. Disa kriminelë janë bërë multimilionerë nga shtresa e varfër, falë veprimtarisë kriminale që tolerohet në atë zonë prej më shumë se 20 vitesh. Kam marrë qindra, ankesa nga qytetarët atje, të cilët ishin nën presionin e grupeve kriminale. Nuk është se grupet kriminale duan vetëm të pasurohen, por sjelljet e tyre banditeske janë pengesë për jetën normale atje. Prandaj, imperativi ynë është vendosja e ligjshmërisë atje” – tha Sveçla.

Ai theksoi se serbët kanë edhe mbështetje politike për aktivitetet e tyre kriminale, duke përmendur kështu lidhjet e forta mes presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe nënkryetarit të Listes Serbe, Milan Radojçiq, i cili gjendet edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I pari i MPB-së po ashtu foli edhe për aktivitetin e shtuar në policisë në funksion të vënies së rendit dhe ligjit atje.

“Radoiçiq është një person që gëzon mbështetjen publike jo vetëm të Serbisë, por edhe të disa përfaqësuesve politikë të Kosovës, por në të njëjtën kohë është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të pjesëmarrjes së tij në krimin e organizuar. Kemi shumë dëshmi se ai ka hyrë ilegalisht në Kosovë. Zyrtarë të Listës Serbe kanë thënë se Radoiçiq ka qenë në barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht dhe se ka qenë organizator dhe mbrojtës i këtyre barrikadave. Kjo do të thotë se ne kemi prova të mjaftueshme për aktivitetet e tij kriminale”.

Lexo edhe:  “Njëherë pastrimi i listave pastaj flasim për pagat”, Hekuran Murati ka një lajm të keq për veteranët

“Kur e analizojmë sigurinë në veri, do ta kuptojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për krizën e fundit. Veriu i Kosovës, pra katër komunat si zonë ishin si një ‘vrimë e zezë’ në sundimin e ligjit, që karakterizohet nga një nivel i jashtëzakonshëm i kontrabandës së mallrave, ku kanë ndodhur në kontinuitet vepra të ndryshme kriminale dhe të pandëshkueshme” – tha Sveçla.

“Ne ndaluam dhjetë kamionë me mallra kontrabandë, jemi përballur me grupe të ndryshme kriminale që po përpiqeshin të ruanin këtë situatë. Ka një lidhje të qartë mes politikës dhe krimit dhe kur them krim e kam fjalën për lidhje multinacionale. Pra, sa herë i kemi arrestuar grupet kriminale, ato përbëheshin nga shqiptarë, serbë, boshnjakë, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, theksoi ai.

Xhelal Sveçla tha ndër të tjera se autoritetet e Serbisë nuk po bashkëpunojnë aspak për ta sjell Milan Radojçiqin para drejtësisë.