Sveçla flet nga veriu: Ushtria serbe është futur 600 metra në territorin e Kosovës, incident i rëndë për ne

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ka arritur në Bare, në vendin ku dyshohet se janë kidnapuar tre policët kufitarë të Kosovës nga Njësia Speciale e Serbisë, ka deklaruar se policia apo ushtria e Serbisë është futur në brendi të territorit të Kosovës rreth 600 metra.

Sveçla tha se ky akt është bërë në shenjë hakmarrjeje për arrestimin e kriminelit Llune.

“Më treguan se policia apo ushtria e Serbisë është futur 600 metra brenda territorit të Kosovës e pastaj kanë vazhduar në grupe të ndara në këmbë dhe janë futur diku rreth një kilometër brenda territorit të Kosovës dhe kanë kidnapuar 3 zyrtarë policorë nga Njësiti për Mbikëqyrje të Kufirit, të cilët, edhe me vetë deklarimin e autoriteteve të Serbisë, janë të arrestuar”, deklaroi Sveçla, duke shtuar se “ky akt, për ne dhe për botën demokratike, është një incident i rëndë”.

“Serbia qartë po mundohet ta minojë rrugën tonë drejt shtet-ndërtimit të plotë, shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, që absolutisht s’do t’ia dalë, as të na ndalë e as të na sprapsë, sepse ne jemi në të drejtën tonë dhe do të veprojmë sipas ligjit”, teksa akuzoi Serbinë, e cila “vazhdon të rrezikojë jetën e zyrtarëve tanë, por edhe të qytetarëve tanë”.

Ai po ashtu tha se në pikën kufitare në Merdare, po arrestohen qytetarët kosovarë.

“Kemi informacione paraprake për arrestime të qytetarëve tanë në pikën kufitare në Merdare”, deklaroi Sveçla.

Lexo edhe:  Kapet një sasi e duhanit të kontrabanduar në Zubin Potok