Sveçla: Arrestimi i Radoiçiqit një veprim simbolik, Vuçiqi i përfshirë në çdo gjë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për televizionin kroat “RTL” ka thënë se arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiqi, është vetëm veprim simbolik i Serbisë për të dalë nga presioni i fuqive perëndimore.

Sveçla ka thënë se Kosova s’mund të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë, derisa Serbia të sponsorizojë terrorizmin.

Radoiçiq është arrestuar të martën dhe i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve. Ai kishte pranuar se kishte drejtuar grupin që kreu sulmet terroriste në Banjskë më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën tre policë tjerë.

“Është më tepër lëvizje simbolike e Serbisë për të dalë nga presioni i fuqive perëndimore. Nëse e dimë që ky është një hap thelbësor dhe luftë kundër kriminelëve, atëherë të gjithë ata që ishin në grup duhet të arrestohen. Po ashtu ata duhet t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës dhe të dënohen për atë që kanë bërë në Kosovë”, ka thënë Sveçla.

Sveçla e ka quajtur farsë arrestimin e Radoiçiqit. Ai thotë se gjithë sulmi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator është planifikuar dhe mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Unë mendoj se kjo është vetëm një farsë. Sa afër që është Radoiçiqi me Vuçiqin aq afër është Vuçiqi me Radoiçiqin. Jemi të bindur se në planifikim, mbështetje dhe financim të aksionit terrorist kanë qenë të përfshirë edhe Vuçiq, ministri i Mbrojtjes Vuçeviq dhe shefi i Shtafit të Ushtrisë Serbe, Mojsiloviq. Nëse duam drejtësi të plotë, atëherë ata që kanë dorëzuar armët duhet të dënohen në gjykatat serbe. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe me ata që menaxhojnë kampet stërvitore, që janë nën juridiksionin e Ushtrisë së Serbisë”, ka thënë Sveçla.

Lexo edhe:  LAJMI I FUNDIT: Vdekje e dyshimtë në Pejë

Sveçla ka thënë se situata në veri të Kosovës po qetësohet “për shkak të veprimeve dinamike të policisë së Kosovës dhe shtimit të ushtarëve të KFOR-it, e po ashtu presioneve nga fuqitë perëndimore”. Por, ai thotë se nuk mund të merret si e mirëqenë kjo.

“Përderisa Serbia sponsorizon terrorizmin, nuk besoj se do të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore. Ajo duhet të distancohet nga aktivitete të tilla dhe nga e kaluara e saj kriminale dhe të gjejë një gjuhë të përbashkët për të ecur para. Pa drejtësi dhe ndryshim të mendimit politik në Beograd, nuk besoj se do të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Sveçla.

Sveçla ka folur për stërvitjet në Serbi të grupit që kreu sulmin terrorist në Banjskë.

“Ne e dimë se ekziston edhe një kamp në Kopaonik ku Serbia përgatit ata të cilët i quan luftëtarë, në fakt janë terroristë, të cilët në një moment, sipas urdhrave të caktuar, bëjnë atë që kanë dashur të bëjnë në Banjskë. Gjenerali Mojsiloviq e ka pranuar dje se po stërvitin ushtrinë rezervë nga shtetas të Kosovës që kanë edhe shtetësi të Serbisë. Është e çuditshme dhe e papranueshme për ne që një ushtri e huaj që nuk e njeh Republikën e Kosovës të ushtrojë aftësitë ushtarake të qytetarëve tanë dhe t’i vë nën urdhrat e ushtrisë serbe”, ka thënë Sveçla.